Pse Qendra Dija?
Zhvillimi dhe edukimi i fëmijëve është në fokus të secilit prind që kur ata janë foshnje, për të siguruar se po rriten në aspektin fizik dhe psikologjik në mënyrën e duhur. Në ditët e sotme, qasja në informacion dhe vetdijësimi i prindërve ka mundësuar që shumë vështirësi gjatë zhvillimit të fëmijëve të parandalohen apo diagnostikohen me kohë duke bërë të mundshëm trajtimin e hershëm.
Duke qenë pjesë e Klinikës së Psikiatrisë për Fëmijë dhe Adoleshentë nga viti 2010, kam punuar drejtpërsëdrejti në trajtimin terapeutik të fëmijëve me vështirësi në zhvillim dhe jam ballafaquar me problemet që hasin prindërit në trajtimin e këtyre kategorive, si pasojë e mungesës së ofruesve profesional të shërbimeve.
Në vitin 2011, pas analizimit të mirëfillt të problematikës dhe duke parë se sa pak mundësi ka për fëmijët me vështirësi gjatë zhvillimit, themelova Qendrën Dija me shërbime multidisiplinare për të lehtësuar jetën e prindërve duke ofruar një adresë për trajtimin terapeutik të fëmijëve.
Profesioni i pedagogut special më mundëson të jem më shumë se sa vetja, të mburrem me atë që unë shërbej, duke i ofruar ndihmë këtij komuniteti, rezultati i të cilës shpaguhet me suksesin e pavarësimit dhe zhvillimit të aftësive të fëmijëve. Përfshirja e prindërve në këtë proces është shumë e rëndësishme, për shkak se bashkëpunimi në mes të dy palëve, është gjysma e punës drejt rezultatit të dëshiruar. Qendra jonë për një dekadë të punës ka dëshmuar se diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi me kohë është i domosdoshëm për shkak të ndikimit më të madh në përmirësimin e zhvillimit fizik, intelektual dhe kognitiv.
Ekipi i përbërë nga psikologë, logopedë, pedagog special dhe ergoterapist ofron të gjitha shërbimet e nevojshme në trajtimin e kategorive në nevojë me përgjegjësi të lartë profesionale.
Sevdije Marmullaku - Themeluese
Bachelor në Fakultetin e Pedagogjisë Speciale, Universiteti i Prishtinës - 2008
Master në Fakultetin e Pedagogjisë të Përgjithshme, Universiteti i Prishtinës - 2016
Qendra e Autizmit EDUS, Sarajevë - 2012-2014
Qendra Psiko Sociale për Trauma Terapi, Mitrovicë - 2013-2016
Instituti i Shëndetit Mendor, Beograd - 2014-2016
Bachelor në Logopedi, Kolegji Heimerer, Prishtinë - 2022
Pjesëmarrëse në shumë trajnime dhe konferenca në vend dhe rajon